oraeshqipes

Zanorja ”Ë” fundore

Administrator Administrator Postuar: 22 Mars, 2024

0 Shikime

Komente


Zanorja ”Ë” fundore

Zanorja ”Ë” fundore

Shkrimi i zanores ”ë ” fundore mbështetet në rregullën fonetike sipas së cilës kjo zanore përdoret në të gjitha ato raste kur ndodhet një rrokje larg theksit. Në rast të kundërt,” ë-ja” fundore nuk shkruhet. Përjashtim bëjnë disa raste ku përdorimi i kësaj zanoreje në fund të fjalës shpjegohet me arsye morfologjike, d.m.th. me nevojën për të ruajtur njësinë e mbaresave vetore të foljes.

Pra, shkruhet ”ë-ja” fundore te fjalët me theks që në krye, të herës në rrokjen e parafundit, duke u ruajtur ajo edhe në trajtat e tyre ku s’është më fundore. Kështu, shkruhen me ”-ë ”:

a) emrat femërorë:

bukë, fjalë, punë, dorë, garë, dritë, ngjyrë, arkë, zhurmë, xhaketë, furrë, shkumë, natë, mollë; por edhe numërorët: dhjetë, mijë, (dhjetëra, mijëra) etj.

Shkruhen me ”-ë ” edhe emrat mashkullorë që shkojnë pas lakimit të emrave femërorë si: babë, dajë, gegë, toskë, Lekë, Kolë, Ramë etj.

b) Disa emra mashkullorë dhe shumica e emrave mashkullorë që përdorën edhe si asnjanës:

atë, burrë, djalë, gjumë, kalë, lumë, ballë, djathë, drithë, dyllë, dhjamë, gjalpë, mjaltë, ujë etj.

c) mbiemrat dhe ndajfoljet e tipit:

(i, e) butë, i ftohtë, i gjatë, i gjallë, i lehtë, i mirë, i shkretë, i vonë etj.;

Në çiftet e fjalëve të mëposhtme mbiemrat shkruhen me ”-ë ” ndajfoljet pa ”-ë ”:

(i,e) drejtë (drejt), i fortë (fort), i kotë (kot), i lartë (lart), i plotë (plot), i shpejtë (shpejt), i thjeshtë (thjesht), i vërtetë (vërtet) etj.

ç) mbiemrat e formuar me anë të prapashtesës ”-të ” nga emra njërrokësh ose me theks në rrokjen fundore, si dhe nga foljet që mbarojnë me zanore:

(i, e) artë (ar), i drunjtë (dru), i gurtë (gur), i leshtë (lesh), i zjarrtë (zjarr); i mpitë (mpij), i ndytë (ndyj), i thatë (thaj); po kështu edhe numërorët rreshtorë: i dytë (dy), i tretë (tre), i pestë (pesë), i njëzetë (njëzet), i miliontë (million) etj.

d) trajtat e shumësit të emrave dhe mbiemrave mashkullorë si:

afrikanë, arabë, amerikanë, docentë, feudalë, fishekë, gramë, hektarë, lekë, maturantë, përtacë, rebelë, studentë, shkrimtarë, ushtarë, gjumashë, hutaqë, matjanë etj.;

Kjo ”-ë ” shkruhet në të gjitha rasat e shumësit, edhe kur nuk është fundore:

partizanë - partizanësh, partizanët, partizanëve; grekë - grekësh, grekët, grekëve; punëtorë – punëtorësh, punëtorët, punëtorëve etj .

dh) trajtat e emërores dhe kallëzores së shquar të shumësit të emrave dhe mbiemrave mashkullorë që në të pashquarën mbarojnë me një bashkëtingëllore dhe që janë njërrokësh ose që kanë theksin në rrokjen e fundit:

bijtë (bij), deshtë (desh), djemtë (djem), dhentë (dhen), miqtë (miq), të rinjtë (të rinj), thonjtë (thonj), barinjtë (barinj), të mëdhenjtë (të mëdhenj) etj.

e) trajtat e shquara të rasave të zhdrejta të njëjësit dhe të emërores e të kallëzores shumës të emrave femërorë që mbarojnë me zanore të theksuar:

bukuri – bukurisë, bukurinë, bukuritë; byro – byrosë, byronë, byrotë; dhi – dhisë, dhinë, dhitë; gjë – gjësë, gjënë; kala – kalasë, kalanë, kalatë; e re – së resë, të renë; rrufe –rrufesë, rrufenë, rrufetë etj.;

Po kështu shkruhen edhe shkurtimet e gjinisë femërore që në emëroren e pashquar shqiptohen me theks mbi rrokjen e fundit si:

ATSH-së, (ATSH), OKB-në (OKB), OSBE-në (OSBE), SMT-të (SMT).

ë) emrat e formuar me prapashtesën ”-zë ”prej temash që mbarojnë me zanore të theksuar, si dhe emrat me këtë prapashtesë që kanë pësuar një shpërngulje theksi në rrokjen e parafundit (ndryshe nga emrat e tipit arkëz, lidhëz);

qelizë, syzë, vezë; dorezë, kokrrizë, librezë, varrezë etj.

f) emrat femërorë me ”-më ” (të parme a të prejardhur), si:

astmë, basmë, dasmë, kazmë, dogmë, gjysmë, krismë, nismë, sintagmë, (dhe jo basëm, kazëm, dasëm, gjysëm);

g) përemrat pronorë:

ynë, jonë, tanë, tonë, sonë, të mitë, të tutë, të tijtë, të sajtë.

gj) numërorët themelorë si:

pesë, gjashtë, shtatë, tetë, nëntë, dhjetë, dymbëdhjetë, nëntëmbëdhjetë, pesëdhjetë etj.;

h) foljet me temë me zanore, në vetën e parë dhe të tretë të shumësit të së tashmes dëftore e lidhore:

(të) mbajmë, të mbajnë; të blejmë, të blejnë; të vëmë, të vënë; të dimë, të dinë; të fshijmë, të fshijnë; të punojmë, të punojnë etj.;

Po kështu, kryesisht për arsye morfologjike, shkruhen edhe foljet me temë me grup zanoresh, të ndjekur nga një ”-j ”:

(të) përziejmë, të përziejnë; të thyejmë, të thyejnë; të ruajmë, të ruajnë, të shkruajmë, të shkruajnë etj.

i) trajtat foljore të shumësit të së kryerës së thjeshtë, të cilat dalin me një zanore:

lamë, latë, lanë (laj); blemë, bletë, blenë (blej); bëmë, bëtë, bënë (bëj); fshimë, fshitë, fshinë (fshij); zumë, zutë, zunë (zë); hymë, hytë, hynë (hy) etj.

j) trajta e vetës së tretë njëjës të mënyrës lidhore të gjitha foljet, duke përfshirë edhe ato me tog zanor, ku ”-ë-ja” shkruhet për arsye morfologjike: ” ë ”

të humbë, të lidhë, të mbjellë, të përmendë etj.; të hyjë, të gjejë, të lajë, të pijë, të thajë etj.; të përziejë, të shkruajë, të thyejë etj.;

k) pjesoret e foljeve me temë me zanore a me ”-l, -ll, -r, -rr” dhe mbiemrat e nyjshëm të formuar prej tyre:

qarë, blerë, bërë, pirë, fryrë, mjelë, vjelë, mbjellë, sjellë, marrë, nxjerrë etj.; (i, e) bërë, i pirë, i mbjellë, i nxjerrë etj.;

Po kështu shkruhen edhe pjesoret si: dhënë, ngrënë, qenë, thënë, vënë, zënë etj.;

Pjesoret me temë me tog zanor, të cilat theksin e kanë në rrokjen e parafundit, shkruhen pa ”-ë ” në fund: përzier, kryer, lyer, mësuar, punuar, shkruar etj.

~Prof. Hamdi Mazreku

Administrator
Autor

Administrator


Lidhu me ne

Merri të rejat e fundit në inboxin tuaj